Ballina Flash

Opera e Verdit, për herë të parë në Prishtinë

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Opera e Kosovës ka vënë në skenë operën “La Traviata”, të Xhuzepe Verdit.

Premiera u mbajt mbrëmë në Sallën e Sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë dhe ishte produksioni i parë i “La Traviata” nga Opera e Kosovës. Shfaqja u realizua në bashkëpunim me Operën Shtetërore bullgare të Stara Zagorës, Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dhe Filarmonisë së Kosovës.

“S’kishte si të mbyllej më bukur ky vit i kulturës se me “La Traviatan” e Verdit, produksion i Operës së Kosovës, i një përmase të paprecedentë në historinë skenike të vendit tone”, ka deklaruar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku.

Ministri Çeku falenderoi të gjithë ata që dhuruan emocion të papërshkrueshëm me këtë vepër.

Trupa përbëhej nga rreth 150 artistë e staf mbështetës, të cilët punuan nën konceptin regjisorial të Ognian Draganoffit. Dirigjent ishte Nayden Todorov, ndërsa në rolet kryesore interpretuan sopranoja Besa Llugiqi, tenori Emanuele D’Aguano dhe baritoni Gëzim Myshketa.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Sokol Pasho 
Artikulli tjetërKomisioni për Reformën Zgjedhore, PD kërkon votim parapëlqyes për anëtarët e këshillave bashkiakë