TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Studentë të departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe ata të Universitetit të Novi Sadit (Serbi) punuan mbi realizimin e një materiali filmik që trajton ngjashmërinë mes legjendës së Kalasë së Rozafës dhe një legjende në Serbi, fokusuar në aspekte të trashëgimisë kulturore.
Në konceptimin, realizimin dhe mbështetjen e kësaj iniciative studentët nga Novi Sadi, të udhëhequr nga specialisti i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, patën mundësi të njihnin vlerat historike, arkeologjike, dhe arkitekturore të Rozafës, simbol i qytetit e cila në shekuj ka qëndruar pandashmërisht me historinë e vetë qytetit.
Për realizimin e këtij projekti punuan 4 studentë të Universitetit të Shkodrës dhe 4 studentë të Universitetit të Novi Sadit, të cilët u trajnuan lidhur me tregimin vizual dhe prodhimin e materialeve promovuese dhe gazetareske.
Prodhimi i videos u mbështet në kuadër të projektit “Ndërtimi i urave” të ndërmarrë nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Misioni i OSBE-së në Serbi.
/r.e/
























