TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Normat e interesit, ose yield-et e obligacioneve, shënuan rënie në javën e parë të dhjetorit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i fiks i obligacioneve 3-vjeçare në datën 7 dhjetor zbriti në 6.37%, ndërkohë që për periudhën 10 nëntor – 5 dhjetor kishte arritur nivelin maksimal prej 6.85%.
Yield-i i obligacioneve 4-vjeçare në datë 7 dhjetor zbriti në 7.14%, nga 7.55% që kishte qenë në periudhën mes 10 nëntorit dhe 5 dhjetorit.
Ndërsa yield-i i obligacioneve 5-vjeçare zbriti në 7.62%, kundrejt një niveli maksimal prej 7.8% që ishte regjistruar më datë 24 nëntor.
Sipas BSH-së, yield-et po ulen, pas një cikli disamujor në rritje.
Javën e kaluar, yield-uniform i pranuar i obligacioneve 2-vjeçare në tregun primar zbriti në 6.24%, nga 6.48% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të datës 22 nëntor.
Ndërsa në fund të muajit nëntor yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore zbriti në 5.8%, nga 5.83% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Yield-et filluan të rriteshin me ritme të shpejta sidomos pas tremujorit të tretë, kur Banka e Shqipërisë e përshpejtoi ndjeshëm normalizimin monetar, duke e rritur normën bazë tre herë me nga 0.5 pikë përqindje. Ndërsa në vijueshmëri Yield-et po shënojnë rënie diktuar nga kërkesë oferta.
/j.p/r.e/























