Ballina Flash

Ndizen dritat e pemës së Krishtlindjes në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Tirana ka ndezur mbrëmjen e sotme dritat e pemës gjigande të Krishtlindjeve të vendosur në sheshin “Skënderbej”.

Sheshi qendror i kryeqytetit u gjallërua edhe më tepër nga atmosfera e krijuar nga fëmijët me repertorin e këngëve festive.

Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, i pranishëm në ceremoninë festive ftoi qytetarët të jenë solidarë, më të dashur dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu mund të kthehet në qytetin e ëndrrave.

“Kemi pasur një super vit për Tiranën, si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, kemi pasur në këtë shesh edhe Rita Orën edhe Dua Lipën, Tirana ka pasur finalen e UEFA Conference League. Tirana do t’i thotë nesër mirëserdhët të gjithë liderëve të BE-së që për herë të parë vijnë në Ballkan dhe kanë zgjedhur Tiranën për të qenë sofra, dera e madhe, shtëpia e madhe që i mikpret të gjithë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “kjo është Tirana jonë, miq! Unë e di që jo çdo gjë është perfekt. Por kur bashkëpunojmë, kur duhemi, kur mbështesim njeri-tjetrin, kur i themi njeri-tjetrit bravo të qoftë, jam krenar për ty, ec përpara, Tirana ecën përpara. Ftesa për të gjithë, pavarësisht bindjeve është: Le ta përdorim këtë dhjetor për solidaritet, për dashuri me njeri tjetrin dhe për të kuptuar që kur ne bashkëpunojmë, nuk ka asgjë që i ndal shqiptarët, kur mblidhen në Tiranë dhe e kthejnë qytetin në qytetin e ëndrrave të tyre”.

Dritat festive kanë nisur të zbukurojnë Tiranën, duke sjellë një atmosferë të gëzueshme në prag të muajit dhjetor, gjatë të cilit festojmë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBerisha: Ata që mikpresin samitin e kanë harruar atë, po merren me protestën tonë
Artikulli tjetërKrifca: Mbështetje ullirit, për punimet e mekanizuara me naftë