TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Jursiti dhe ekonomisti Ymer Barçi paraqiti sot kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike për bashkinë e Matit.
Barçi u shpreh se ka ide të qarta për zhvillimin e Matit.
“Dua të kontribuoj në zhvillimin e bashkisë, që të ndalojmë hemorragjinë e largimit të të rinjve, të ngjallim shpresën se ky vend bëhet dhe ka mundësi për jetesë, sepse ka burime njerëzore dhe natyrore të mrekullueshme”, tha ai.
Sipas tij, zhvillimi vjen duke përdorur me transparencë dhe efektivitet fondet publike, duke luftuar korrupsionin, duke kryer investime në sektoret jetike të ekonomisë, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, të vaditjes, kullimit e mbrojtjes së tokës, duke mbështetur shkollat, artin, kulturën, sportin.
Ai premtoi ulje të taksave vendore dhe mbështetje për bizneset e reja.
“Unë vlerësoj dhe do mbështes të persekutuarit politik, qytetarët në nevojë, punësimin me përparësi të grave dhe të rinjve, vlerësimin e talenteve dhe kontributin e artistëve e sportistëve matjanë. Përmirësimi i shërbimeve ndaj banorëve është prioriteti ynë”, tha Barçi. /m.m/












