TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Dita Botërore kundër HIV-AIDS (SIDA) është një ditë reflektimi dhe përpjekjesh jo vetëm për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV, por edhe për t’u angazhuar në luftën kundër përhapjes së mëtejshme të këtij virusi vdekjeprurës.
HIV-AIDS mbetet një nga sfidat e shekullit, jo vetëm në Shqipëri, por për në mbarë botën.
E vendosur që në vitin 1988, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James W. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë.
Kjo ditë është një mundësi për partnerët publikë dhe privatë që të rrisin ndërgjegjësimin për pandeminë dhe të inkurajojnë progresin e bërë në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV dhe AIDS anembanë botës.
Sipas shifrave të OKB-së, rreth 80 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar me virusin HIV, që nga rastet e para të raportimit të SIDA-s në vitin 1981 dhe 36,3 milionë kanë vdekur.
/k.s/r.e/























