UASHINGTON, 26 nëntor /ATSH/ – Flossie, në moshën pothuajse 27-vjeçare, e barabartë me 120 vite të njeriut, u kurorëzua nga Libri i Rekordeve Botërore Guinness si macja më e moshuar e gjallë në botë, sipas CNN.
Macja britanike, me ngjyrat kafe dhe e zezë, mori dje njohjen zyrtare nga Guinness, në moshën rekord prej 26 vjeç e 329 ditë, sipas një njoftimi për shtyp.
Edhe pse me shikim të dobët dhe e shurdhër, Flossie është në gjendje të mirë shëndetësore.
“E dija që në fillim se Flossie ishte një mace e veçantë, por nuk e imagjinoja se do ta ndaja shtëpinë time me një mbajtëse rekordesh botërore”, tha pronarja Vicki Green.
“Ajo është kaq e dashur dhe lozonjare, veçanërisht e ëmbël kur kujton sa vjeç është. Jam jashtëzakonisht krenare me një mace kaq të mrekullueshme”, shtoi ajo.
Flossie ka qenë në disa shtëpi që kur jetonte si një kotele endacake pranë spitalit ”Merseyside” në Liverpool, në muajt e parë të jetës së saj në 1995.
Ajo u birësua nga një punëtor në spital, me të cilin jetoi për 10 vjet përpara se pronari i saj të vdiste. Flossie u mor nga motra e pronarit të saj të ndjerë. Pas 14 vitesh, pronari i saj i dytë vdiq. Ajo ishte më pas me djalin e pronarit të saj të dytë për tre vjet, përpara se t’u besohej vullnetarëve në ”Cats Protection”.
Pikërisht atëherë filluan të përhapeshin fjalët për moshën e saj të pabesueshme dhe nisi udhëtimi për të konfirmuar rekordin e saj.
“Ne u mahnitëm kur pamë që të dhënat e veterinerit të Flossiet tregonin se ajo ishte 27 vjeçe”, tha Naomi Rosling, koordinatorja e degës së bamirësisë.
Sidoqoftë, macja më e moshuar që ka jetuar ndonjëherë, Crème Puff, arriti moshën 38 vjeçe e tre ditë./ a.jor.























