Ballina Ekonomi

Komisioni për Integrimin miraton projektbuxhetin 2023

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Në drejtimin e kryetares Jorida Tabaku, komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi nen për nen projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2023”, si edhe paketën fiskale që e shoqëron, përkatësisht projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.

Të ftuar ishin Adela Xhemali zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, Nikolla Lera, drejtor i Përgjithshëm i Politikave Makroekonomike dhe Çështjeve Fiskale, Mimoza Dhëmbi, drejtor i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit etj.

Nikolla Lera në fjalën e tij u shpreh se, paketa fiskale e cila po diskutohet si pjesë e buxhetit, ka qenë relativisht e vogël, ku pjesë e kësaj pakete kanë qenë edhe disa ndryshime në ligjin ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, duke prekur 2 elementë.

“Meqenëse ka kohë dhe pritet që në dhjetor të fillojë bursa shqiptare, është e domosdoshme që të parashikojmë një skemë e veçantë për tregtimin e energjisë në bursën shqiptare”, theksoi Lera.

Më tej, mbledhja vazhdoi me pyetje, përgjigje, komente të ndryshme, ku më pas komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, së bashku me ndryshimet e propozuara, dhe po ashtu komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi edhe projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2023”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPeleshi nga Bërdica: Prurjet kanë rënë, shkarkimet në minimum nga kaskada e Vaut të Dejës
Artikulli tjetërGJERMANI – Steinmeier: Rritja e antisemitizmit nuk duhet toleruar