TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, u mbajt mbrëmja e çeljes së tre ditëve aktivitete, në nder të 100-vjetorit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Përgjatë tre ditëve në vazhdim, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë ekspozitën e dëshmisë së këtyre viteve marrëdhënie e bashkëpunim në ambientet e TKOB, një nga tempujt e kulturës dhe artit, gjithmonë urë komunikimi, ndërlidhjeje e frymëzimi edhe ndërmjet popujve e vendeve të ndryshme.
Ekspozita është organizuar nga “Defence Section” i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.
Në event ishte i pranishëm vetë ambasadori Alastair King Smith ku foli për ngjarje dhe njerëz të cilët kontribuan në marrëdhëniet mes 2 vendeve.
Ambasadori e cilësoi marrëdhënien mes dy vendeve jo një dimensionale apo të përkohshme, por përkundrazi të pasur, të qëndrueshme dhe të fortë.
“Jemi bashkë sot sepse dëshirojmë të festojmë historinë tonë të përbashkët përmes kulturës, politikës, ekonomisë dhe mbrojtjes. Dhe ne e dimë se forca e këtyre lidhjeve historike është në marrëdhëniet midis njerëzve, midis komuniteteve dhe midis të gjithë të pranishmëve këtu. Ne duam që imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve të pasqyrojë marrëdhëniet pozitive që kemi midis qeverive dhe shoqërive tona. Prandaj, na ndihmoni të ndryshojmë narrativën dhe të theksojmë anët pozitive të lidhjeve tona”, u shpreh ambasadori Alastair King Smith.
“Sepse së bashku, në një kohë kur lufta në Ukrainë na tregon rëndësinë e jashtëzakonshme të vendeve me pikëpamje të njëjta që punojnë së bashku në interes të paqes, demokracisë dhe lirisë, ne kemi mundësinë të krijojmë një të ardhme më të mirë dhe nuk duhet të lejojmë që dallime në perspektiva të na ndajnë”, përfundoi ambasadori Alastair King-Smith.
/r.e/





















