Ballina Ekonomi

Rritet në 7.69% norma e interesit për obligacionet 5-vjeçare

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi këtë javë rihapjen e ankandit të obligacioneve me referencë 5-vjeçare, që konfirmoi tendencën në rritje të shpejtë të yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar.

Nga 4 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga qeveria shqiptare, në ankande u paraqitën kërkesa totale për vetëm 2.22 miliardë lekë, ndërsa Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) pranoi rreth 2.12 miliardë lekë. Yield-i maksimal i kërkesave që nuk u pranuan arrinte deri në 8.05%.

Të dhënat tregojnë se yield-i maksimal i pranuar në ankand arriti në 7.98%, ndërsa yield-i mesatar i ponderuar në 7.69%.

Sipas BSH-së, rritja e yield-it mesatar të obligacioneve 5-vjeçare, u ndikua nga rritja e normës bazë të interesit.

Në periudhën mars-nëntor, Banka e Shqipërisë ka rritur pesë herë normën bazë të interesit me gjithsej 2.25%. Obligacionet 5-vjeçare janë pjesë e projektit të titujve referencë, që MFE e zhvillon në bashkëpunim me pesë banka tregtare në vend. Pjesëmarrja në ankandet e titujve referencë mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet bankave pjesëmarrëse në projekt, që kanë titullin e Zhvilluesve të Tregut.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Bonusi i Rijetësimit”, nis restaurimi i banesës Mbrica në Kalanë e Beratit
Artikulli tjetërEksportet drejt Zvicrës, 2.5 miliardë lekë