Ballina Flash

Beton nga… karkalecat?

UASHINGTON, 2 nëntor /ATSH/ – Lëvozhga e karkalecave përmban një biopolimer, kitin, i cili, i shtuar në përzierjen e çimentos, e bën atë deri në 40% më rezistent, sipas një studimi të botuar në ”Cement and Concrete Composites”, shkruan focus.it.

Studimi thekson se përdorimi i mbetjeve të karkalecave do të kontribuonte edhe në zvogëlimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit, të prodhuara nga industria e çimentos.

”Duke rritur forcën e çimentos, kjo përzierje e re mund të ndihmojë edhe në uljen e sasisë  së emetimeve të dyoksidit të karbonit gjatë prodhimit”, shpjegon Somayeh Nassiri, autore e studimit.

Çimentoja është materiali më i përdorur në botë pas ujit.

Prodhimi i saj lëshon shumë CO2, pasi kërkon përdorimin e lëndëve djegëse fosile për të arritur temperaturën 1 500°C , e nevojshme për gatimin e klinkerit (“baza” e përbërë nga gur gëlqeror ose gips dhe balta).

Industria e çimentos është përgjegjëse për rreth 15% të të gjithë konsumit të energjisë industriale dhe 5% të emetimeve të gazeve serrë në mbarë botën.

Nanokristalet dhe nanofibrat e kitinës janë rreth një mijë herë më të vogla se flokët e njeriut.

Kitina është biopolimeri më i bollshëm në natyrë pas kolagjenit.

Mbetjet e peshkut janë gjithashtu një problem serioz për industrinë e peshkimit.

Çdo vit vetëm Evropa prodhon 2,5 milionë tonë mbetje, shumica e të cilave përfundojnë në det.

Mbetjet e gaforreve, karkalecave dhe karavidheve përbëhen nga 20-30% kitin, dhe pjesa tjetër nga karbonat kalciumi.

Suksesi i kitinës si ngurtësues është për shkak të mënyrës se si ndërvepron me grimcat e çimentos.

“Nanogrimcat e kitinës sprapsin grimcat e çimentos, duke ndryshuar kapacitetin e tyre të hidratimit”, shpjegon Michael Wolcott, një nga autorët./  /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakForcim i bashkëpunimit mes FSHF e Katarit, Duka takim me ambasadorin Al-Marri
Artikulli tjetërRama publikon fotoalbumin e takimeve në Korçë