Ballina Bota

BM – Sunak arrin pragun e 100 mbështetësve në Dhomën e Komuneve

LONDËR, 22 tetor /ATSH-ANSA/ – Parlamentari konservator britanik, Tobias Ellwood pretendon në Twitter se me mbështetjen e tij ai është përkrahësi i njëqindtë i pretendentit për lider të partisë dhe kryeministër, Rishi Sunak.

Nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë do të thotë se ish-kancelari ka tejkaluar pragun e nevojshëm të mbështetësve në Dhomën e Komuneve për të kandiduar drejt udhëheqjes së konservatorëve.

Një burim nga fushata për mbledhjen e numrit të duhur të deputetëve e konfirmon këtë për agjencinë Press Association duke shtuar se ”Sunak arriti numrin magjik”.

Mes konservatorëve të tjerë që kohët e fundit kanë deklaruar se do të mbështesin Sunak është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Sigurisht, ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Sunak për qëllimin e tij për të kandiduar.

Pas dorëheqjes së kryeministres Truss, kandidatura tjetër e mundshme përveç Sunak, është edhe ish-kryeministri Boris Johnson./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKINË – Kryeministri Li jo më pjesë e Byrosë Politike të PKK-së
Artikulli tjetërRama drejt Fierit, vijon takimet me qytetarët