Ballina Aktualitet

Begaj: Progresraporti i KE-së, udhërrëfyes për vijimin e reformave

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti sot ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, e cila i dorëzoi zyrtarisht raportin e progresit për Shqipërinë.

Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që Komisioni Evropian dhe vendet e BE-së, i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit në procesin e integrimit, Presidenti Begaj konfirmoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është dhe mbetet një prioritet strategjik i Shqipërisë dhe objektiv i pandryshueshëm, i mbështetur gjerësisht nga të gjithë faktorët institucionalë, politikë e shoqërorë.

Presidenti Begaj shprehu vlerësimet për raportin e hartuar nga strukturat e Komisionit Evropian, për progresin e njohur dhe problematikat e evidentuara në raport.

Ai nënvizoi se ky raport duhet të shërbejë si një udhërrëfyes i paanshëm për Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për vijimin e reformave në vend.

Me këtë rast, Presidenti Begaj u bën thirrje për përgjegjshmëri e transparencë të gjitha institucioneve shtetërore, për përfshirje të gjithë aktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, duke e konsideruar integrimin një objektiv dhe interes parësor kombëtar.

“Konsensusi dhe mbështetja e agjendës së integrimit nga pozita dhe opozita janë të domosdoshme për përparimin e reformave dhe adresimin e gjitha çështjeve të ngritura në raport”, tha ai.

/m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrifca në Irlandë: Përafrimi i legjislacionit me BE, prioritet për sigurinë ushqimore
Artikulli tjetërDurrës, nisin punimet për restaurimin e Muzeut Arkeologjik