Ballina Flash

Dita e fundit e TIFF-it, priten fituesit e “Bufit të artë”

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Festivali i filmit TIFF mbyll sot në mbrëmje edicionin e tij të 20-të.

Ndërkohë që konkurrentët presin ndarjen e çmimeve, sallat e kinemave ku është zhvilluar TIFF-i kanë vazhduar projeksionet. Si çdo ditë të këtij edicioni, mëngjesi u ka rezervuar të vegjëlve shumë filma të animuar, të cilët u shfaqën në kinemanë e Liceut Artistik “Jordan Misja”.

“Invisible border” nga Mark Gerstorfer dhe “Luma” nga Eleanor Mortimer e Liridon Mustafaj, ishin filmat e fundit, të shfaqur, nga seksioni Panorama/Reflecting Albania.

Një tjetër kategori, filmat e së cilës u shfaqën sot, ishte Live Action, me 4 filma të metrazhit të shkurtër, premierë kombëtare, të cilët u shfaqën në Kinema “Millennium”.

Pas tyre, radhën e kishin 5 filmat nga kategoria Animation. Te dyja kategoritë e lartpërmendura kanë të drejtën për të çuar fituesin e tyre në Oscars.

Pasditja do t’i lihet e gjitha pritjes për fituesit e edicionit të 20-të të Tirana International Film Festival. Për herë të parë, Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte “Official partner” me TIFF.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPezullohen 23 leje drejtimi në Vlorë
Artikulli tjetërEkonomia shënoi rritje me 2.23 % në tremujorin e dytë