Ballina Flash

Dita Evropiane e Bashkëpunimit, aktivitete dhe panaire në Përmet

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Dita Evropiane e Bashkëpunimit bëri bashkë në 21-22 shtator disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të qytetit të Përmetit.

Në aktivitetet e zhvilluara morën pjesë përfaqësues të delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri Sophia Philippidou, Agjencia Shtetërore e Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës me drejtues Ilir Beqajn dhe stafin e tij, përfaqësues të Programit Interreg Greqi-Shqipëri, kryetarja e bashkisë Përmet, Alma Hoxha, qytetarë, etj.

Dita e parë startoi me traditën mikpritëse, duke vijuar me vizitën në Bibliotekën e qytetit, e cila është rikonstruktuar falë bashkëpunimit Greqi-Shqipëri nëpërmjet Programit IPA dhe fonde të BE-së.

Në vazhdim të vizitës në qendrën tjetër të rikonstruktuar me fonde të huaja, të rinjtë e Këshillit Rinor përcollën mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit me simbolet dhe ngjyrat e kësaj dite.

Ndërsa ditën e djeshme u zhvillua panairi i produkteve të zonës, bashkëbisedimeve dhe si përfundim argëtimit me rafting në lumin Vjosë.

Bashkia e Përmetit falënderon pjesëmarrësit për vizitën, mbështetjen dhe asistencën e treguar deri tani duke ndihmuar kështu në realizimin e shumë prioriteteve me impakte të rëndësishme në komunitet.

Në qytetin e Përmetit këtë sezon turistik janë shtuar aktivitetet kulturore, të cilat kanë mbledhur një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇuçi: Hetime të përbashkëta me vendet e BE-së
Artikulli tjetërBerisha: Qeveria shkatërroi sistemet e policisë për të zhdukur provat