TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Raporti i kredive me probleme pësoi rënie në muajin korrik të këtij viti.
Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në 5.27%, nga 5.32% që kishte qenë në qershor.
Edhe me bazë vjetore treguesi i kredive me probleme vijon të shfaqë një tendencë rënëse, nga niveli 7.05% ku qëndronte në korrik të vitit të kaluar.
Në periudhën prill-maj, raporti shënoi një rritje të lehtë me afërsisht 0.2 pikë përqindje, periudhë kjo që përkon me një rritje të shpejtë që pësoi inflacioni.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, për 6-mujorin e parë të këtij viti, vlera e provigjioneve të llogaritura nga bankat për humbje nga kreditë shënoi vlerën 1.25 miliardë lekë, vlerë kjo pothuajse e njëjtë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë portofoli total i kredisë në fund të qershorit shënonte një rritje prej 12.3%, në linjë me nivelet e vitit të kaluar, para se ekonomia do të goditej nga vala e fortë inflacioniste.
/r.e/























