TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka ripërsëritur thirrjen për pjesëmarrje në programin “OneBeat”.
Thirrja u shkon të gjithë muzikantëve shqiptarë, prej moshës 19 deri në 35 vjeç, të aplikojnë në këtë program, duke u bërë pjesë e një komuniteti artistësh nga 50 vende të ndryshme.
“Kjo është një përvojë që vjen një herë në jetë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës, 3 ditë përpara mbylljes së aplikimeve.
Pjesëmarrësit të cilët do të pranohen në “OneBeat”, do të mblidhen në Shtetet e Bashkuara për një muaj, në prill-maj 2023 ose në shtator-tetor 2023, për të shkruar, prodhuar dhe interpretuar së bashku muzikë origjinale, si dhe për të zhvilluar strategji për angazhime sociale të bazuara në art.
“OneBeat” u ofron muzikantëve mundësinë e bashkëpunimit në projekte të reja dhe në eksplorimin e traditave të reja muzikore, duke vënë theksin tek bashkëpunimi dhe jo ekspozimi i talenteve individuale. Muzikantët e OneBeat do të punojnë së bashku përtej ndasive kulturore e stilistike, në kërkim të mundësive të reja muzikore. Programi do të mbulojë shpenzimet e udhëtimit, ushqimit e qëndrimit, në Shtetet e Bashkuara.
/r.e/
























