TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa parashtroi sot pesë pyetje në lidhje me impiantin e mbetjeve në Fier, ndërsa deklaroi se “vjedhja e 430 milionë eurove tregon më së paku se qeveria është ortake, ose vetëpërfituese e këtyre parave”.
“430 milionë euro për djegësit që nuk djegin. Impianti i mbetjeve në Fier ka shumë gjëra për të thënë, por mjafton të kujtojmë se Klodian Zoto pagoi veten nëpërmjet dy kompanive të tij, 23 milionë euro për punë që nuk janë kryer. Një qeveri që jep paratë në këtë formë mund të jetë më së paku ortake, ose vetëpërfituese e këtyre parave. Shkeljet edhe çuditë vazhdojnë. Inceneratori i Fierit ka marrë kredi, me garanci sovrane, 69 milionë lekë për paga, ndërkohë që këto paga paguheshin me paratë e buxhetit të shtetit”, tha ajo.
Ndër të tjera, Zhupa ngre pyetjen se “përse kryebashkiaku Armando Subashi, zgjodhi një truall privat për impiantin e mbetjeve në Fier, edhe pse Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Bashkisë i vendosi në dispozicion 10 troje publike ku mund të ndërtohej impianti”.
/m.m/r.e/






















