Ballina Ekonomi

Lehtësim i procedurave për kredi në sektorin e hotelerisë

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Hoteleria është bërë sektori i katërt më i kredituar i ekonomisë shqiptare.

Referuar statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë portofoli i kredisë për sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor është rritur me ritme të larta edhe në pjesën e parë të këtij viti.

Në fund të muajit maj 2022, bankat dhanë 34.2 miliardë lekë kredi për sektorët që operojnë në fushën e turizmit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, totali  i kredisë për hotelerinë është rritur me pothuajse 26 %.

Hoteleri-turizmi renditet i katërti për nga vlera e rritjes së kredisë, pas tregtisë, ndërtimit dhe industrisë përpunuese.

Ekspertët e bankave shprehen se, rritja e kredisë për sektorin e akomodimit i adresohet lehtësimit rregullatorë që ndërmori BSH-ja dhe ristrukturimit të kredive për bizneset e turizmit të prekur nga pandemia.

Duke qenë se turizmi ishte ndër sektorët më të goditur nga pandemia, sidomos në vitin e parë, bizneset e këtij sektori kanë qenë ndër përfituesit e këtyre lehtësive. Ristrukturimet e kredive zakonisht lidhen me shtyrjen e pagesave ose shpërndarjen e tyre në afate më të gjata kohore. Teksa shifrat e kredisë së re shfaqin një ecuri pozitive, shprehen ekspertët.

Zhvillimi i turizmit në vendin tonë vitet e fundit ka nxitur edhe një rritje të investimeve në sektorët e lidhur me të dhe sidomos në struktura të reja akomoduese. Këto investime janë nxitur pjesërisht edhe nga lehtësitë fiskale të aplikuara nga qeveria shqiptare për hotelet me katër dhe pesë yje, që kanë si qëllim shtimin e strukturave të turizmit elitar në vend.

Sipas INSTAT, vitin e kaluar u miratuan leje për ndërtime të reja të hoteleve për një vlerë totale prej 5.2 miliardë lekësh, në rritje me 78% krahasuar me një vit më parë.

Në fund të vitit të kaluar Shqipëria kishte gjithsej 1256 hotele apo struktura të tjera akomoduese, me gati 36 mijë dhoma e mbi 85 mijë shtretër. Ndërsa ka gjithashtu një tendencë në rritje të shfrytëzimit për turizëm edhe të apartamenteve apo strukturave të tjera private.

Në 5-mujorin e parë 2022, numri i vizitorëve në strukturat akomoduese është rritur me 66% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri u rritën me 55% dhe tejkaluan madje edhe shifrat e regjistruara në periudhën e para pandemisë, në vitin 2019.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabaku: Rritet çmimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tij, qeveria të heqë taksat
Artikulli tjetërBalluku: Ndërtimi i autostradës Milot-Fier, rreth 2000 të punësuar e 400 milionë euro përfitim