Ballina Flash

Felaj përshëndet punimet e Parlamentit Rinor të Frankofonisë

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, mori pjesë në seancën solemne të hapjes së punimeve të Parlamentit Rinor të Frankofonisë, i cili po organizohet në Tiranë nga datat 25-31 korrik, si bashkëpunim i Sekretariatit Ndërkombëtar të Frankofonisë (APF), Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, organizuar nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë.

Felaj pasi u uroi mirëseardhjen të rinjve në parlamentin shqiptar, edhe në emër të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, vlerësoi përzgjedhjen e kryeqytetit shqiptar për realizimin e këtij aktiviteti, në vitin kur Tirana është shpallur Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

Duke theksuar rolin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, e cila ka në bosht të saj bashkëpunimin, solidaritetin, kulturën dhe zhvillimin, Felaj nënvizoi se Shqipëria është një anëtare e përkushtuar e saj, me kontribute në rigjallërimin e kulturës dhe gjuhës frënge. “Parlamentet rinore janë takime ndërkulturore dhe platforma shumë të rëndësishme që ndërtojnë ura miqësie përtej kufijve, ku ju të rinjtë, potencialisht politikanë të ardhshëm të vendeve tuaja, shkëmbeni ide mbi çështje të tilla si shkollimi, marrëdhëniet ndërkulturore, gjeopolitika, mjedisi, etj. Ata janë ushtrime të të jetuarit së bashku në solidaritet, me vlera të përbashkëta humaniste dhe duke respektuar diversitetin, parim që është në themelin e kësaj organizate dhe është burim paqeje dhe prosperiteti për gjithë globin”, u shpreh Felaj.

Në aktivitet përshëndetën presidenti i APF, Francis Drouin, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, kryetari i Misionit për Europën, Jean-Charles Luperto.

Veliaj, në fjalën e tij vlerësoi se, viti 2022, viti europian i të rinjve, ishte një ogur i mirë për Shqipërinë, pasi u hapën zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian, duke përbërë kështu një gur kilometrik jo vetëm në historinë e vendit, por mbi të gjitha në historinë e gjeneratës së re.

“Nuk mund ta fsheh dot entuziazmin e mirëseardhjes së Parlamentit Rinor Frankofon. Pikërisht sepse është një mundësi unike, e jashtëzakonshme, për shumë djem dhe vajza, që të shkëmbejnë pikëpamje, mendime, ide për çështje që lidhen me avancimin e demokracisë, fqinjësisë së mirë, politikën e zgjerimit të BE, integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, rolin e teknologjisë, inovacionit, artin, kulturën si dhe mbrojtjen e ambientit”, theksoi Veliaj.

Gjatë kësaj jave të rinjtë do të zhvillojnë disa mbledhje komisionesh parlamentare, ku do të kenë mundësi të diskutojnë mbi tema dhe çështje të ndryshme lidhur me bashkëpunimet ndërparlamentare, edukimit, teknologjisë, kulturës, mbrojtjes së mjedisit, etj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Polonia kundërshton BE-në për zvogëlimin e përdorimit të gazit
Artikulli tjetër“Fifi do të jetë në shesh”, këngëtarja pjesë e superkoncertit të 28 korrikut