TIRANË, 21 korrik/ATSH/ 99 vjet më parë, më 21 korrik 1923, Faik Konica rizgjidhej kryetar i shoqërisë patriotike “Vatra”. Lajmin e jepte gazeta “Shqiptari i Amerikës”, e cila e cilësonte këtë rizgjedhje si një triumf moral.
Gazeta “Shqiptari i Amerikës” ruhet në Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror dhe pikërisht në këtë përvjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ka zgjedhur ta bëjë publike me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Në artikullin që jepet lajmi i rizgjedhjes së Konicës, pasqyrohet edhe një biografi e shkurtër e patriotit.
”Një kabllogram prej Bostoni na lajmëroi se, Kuvendi i përmotshëm i shoqërisë patriotike ‘Vatra’ rizgjodhi me një zë për kryetar z. Faik Konitza, një nga të parët kryetarë të rilindjes kombëtare dhe kryelëronjësin e leteratyrës shqiptare, sikundër e quan shoku i tij n’ armë, Imzot Fan S. Noli”, shkruhej ndër të tjera në publikim.
Interesant është fakti që gazeta “Shqiptari i Amerikës”, që nxori gjithsej 140 numra të saj, kishte si moto “mbrojtjen e të drejtave të popullit dhe të idealeve të shteteve të perëndimit”.
/r.e/

























