ROME, 17 korrik /ATSH-ANSA/ – Bakteret e ashtuquajtura Cyborg, kombinim i robotikës dhe biologjisë për të luftuar betejën kundër tumoreve, janë gati.
Falë elementeve artificiale të shtuara, bakteret e zakonshme Escherichia coli janë në gjendje të kalojnë mjedisin armiqësor të tumorit dhe të sjellin barnat pikërisht aty ku nevojiten.
Ato u bënë nga studiues nga instituti gjerman ”Max Planck”, të cilët e publikuan rezultatin në revistën ”Science Advances”.
Sipas autorëve të studimit, të koordinuar nga Birgul Akolpoglu, terapia e bazuar në bakteret Cyborg do të ishte minimalisht invazive për pacientin, pa dhimbje dhe ilaçet do të zhvillonin efektin e tyre aty ku është e nevojshme dhe jo në të gjithë organizmin.
Bakteret Escherichia coli janë ”notare” të shpejta dhe të gjithanshme, të afta për të ”lundruar” edhe në substanca shumë viskoze.
Përveç kësaj, ato tërhiqen nga mjedise me nivele të ulëta oksigjeni dhe aciditet të lartë, dy karakteristika tipike të indit tumoral.
Këto aftësi janë shfrytëzuar për më shumë se një shekull në terapitë e kancerit me bazë bakteriale, të cilat mbështeten në faktin se mikroorganizmat, duke u grumbulluar dhe duke u rritur aty ku është tumori, aktivizojnë sistemin imunitar të pacientëve.
Të udhëhequra nga një fushë magnetike, mikroorganizmat arrijnë të bëjnë rrugën e tyre drejt tumorit dhe, sapo të arrijnë qëllimin e tyre, një lazer infra të kuqe shkrin kontejnerët e vegjël të ilaçit duke lejuar që ai të lëshohet vetëm aty ku është e nevojshme./ a.jor.























