TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike raportoi 7 incidente kibernetike në vend të njoftuar nga operatorë vendas, institucione partnere apo palë të treta gjatë vitit të shkuar.
Sipas infomacionit nga kjo agjenci, këto incidente janë të natyrave të ndryshme dhe në disa raste bllokimi është bërë teksa kishte shfaqur komplikime në rrjetet e përfshira e në të tjera ndërhyrja është bërë para prekjes së infrastrukturave.
Autoriteti raportoi se në përmbushje të detyrave funksionale, sektori i kontrollit gjatë vitit 2021, ka audituar operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në lidhje me implementimin e masave minimale të sigurisë, teknike dhe organizative, nga këto operatorë, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.
Autoriteti thekson se ka nisur identifikimin e infrastrukturave të reja, kritike dhe të rëndësishme të informacionit ku sektori kontrollit ka nisur procesin e identifikimit të operatoreve potencial në sektorin e shëndetësisë dhe në sektorin e energjisë.
/j.p/r.e/












