TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë në pritjen me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA, organizuar nga Ambasada amerikane në Pallatin e Brigadave.
Në përshëndetjen mbajtur me këtë rast, Meta tha se, “Amerika, ka qenë dhe mbetet një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha kombet e tjera që aspirojnë për parimet universale të demokracisë, lirive dhe të dinjitetit njerëzor”.
“Ne jemi edhe më të vetëdijshëm, për rëndësinë strategjike që ka forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, veçanërisht sot, kur Europa dhe e gjithë bota, janë tronditur thellë nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, duke cënuar rëndë sovranitetin dhe liritë e një vendi europian, dhe vetë vlerat që bashkojnë demokracitë perëndimore”, u shpreh Presidenti.
“Ky vit, vijoi Meta, përkon me një jubile shumë të rëndësishëm, atë të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Një shekull marrëdhëniesh, që nisin me mbështetjen historike dhe jetike që Presidenti Uilson i dha shtetformimit shqiptar, që u ngurtësuan prej izolimit komunist, për t’u ringjallur edhe më fuqishëm me vendosjen e pluralizmit dhe të demokracisë.
““E drejta e Vetëvendosjes” do të thoshte Presidenti Uilson; “Liria funksionon”, do të shprehej Sekretari Bejker; “Koha është tani”, për Pavarësinë e Kosovës; dhe : “Ky është një moment i veçantë në historinë shpresëdhënëse të lirisë njerëzore, teksa Amerika shpall mbështetjen e saj për hyrjen e Shqipërisë në NATO” do të deklaronte Presidenti Bush në Tiranë: “Kemi qenë me ju gjatë 100 viteve të shkuara, dhe do të jemi bashkë edhe në 100 vitet që do të vijnë”, do të pohonte në 100-vjetorin e shtetit shqiptar Sekretarja Klinton! Këto momente historike janë gurë kilometrikë vendimtare, në marrëdhëniet tona prej një shekulli, që kanë skalitur gjurmë të thella në miqësinë mes dy popujve tanë”, deklaroi Meta, ndërsa tha se, kjo miqësi është farkëtuar parreshtur edhe nga përkushtimi i jashtëzakonshëm i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara”, tha Meta.
“Të punojmë të gjithë së bashku, për ta forcuar këtë miqësi dhe partneritet strategjik, sot më shumë se dje, nesër më shumë se sot, duke besuar vetëm te liria dhe demokracia”, u shpreh Meta. /j.p/












