TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Java e Kulturës Spanjolle, vijoi në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë, ku u diskutua rreth letërsisë spanjolle të sjellë në shqip.
Në COD ishin të pranishëm përkthyesit Bajram Karabolli, Flavia Kaba dhe studiueset Vjollca Osja dhe Anxhela Lepuri për takimin e titulluar “Letërsia spanjolle në shqip”.
Ata diskutuan, në prani të publikut, rreth letërsisë spanjolle të përkthyer në shqip, çështjeve të përkthimit, çensurimit të veprave të përkthyera, negocimeve dhe humbjeve që pëson teksti i përkthyer, përkthimit nga gjuhët e dyta, realizmin magjik dhe boom-in latinoamerikan.
Një vend të veçantë në këtë takim zunë edhe ata autorë spanjollë që janë botuar rishtazi në gjuhën shqipe.
Nga data 18 deri në 28, publiku i Tiranës ka pasur mundësinë të njihet me aspekte të ndryshme të kulturës spanjolle, në kuadër të “Javëve Kulturore Ndërkombëtare”. Në ditën e fundit të kulturës spanjolle, janë programuar 2 evente: Inaugurimi i muralit të realizuar nga piktori Carlos Alvarez, tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, si dhe koncert me muzikë elektronike nga Delaporte tek Pazari i Ri.
/r.e/


























