Ballina Aktualitet

Berisha: Protesta e 7 korrikut, jo vetëm e PD por e shoqërisë civile

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot përpara parlamentit se, “sirenat e alarmit për Shqipërinë në rrezik po bien në të katër anët e vendit”.

“Mbrëmë në një tryezë me drejtues, aktivistë të shoqërisë civile, personalitete të mirënjohur në këtë fushë, mendoj se kryefjala e asaj tryeze të jashtëzakonshme, të paparë ndonjëherë, ishte një dhe vetëm një: protestë, protestë dhe vetëm protestë”, tha Berisha.

“Qytetarët shqiptarë, duke filluar nga interesi i tyre kombëtar, tek shëndeti, vendi i punës, xhepat e tyre, ndjejnë se janë në rrezik të madh, ndjejnë një thirrje të brendshme se duhet me çdo kusht t’i dalin zot vetes, të marrin në dorë fatin e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se, “kjo protestë është e hapur për të gjithë shqiptarët dhe është në 7 korrik, në ora 7 të darkës, në Tiranë, në sheshin e saj më të madh. Tirana e tëra do derdhet”.

“Para shqiptarëve në radhë të parë dhe do të protestohet ndaj qeverisë, parlamentit. Mund t’u them se me vendosjen e monizmit, dhe zhdukjen e check and balance, kushtetutshmëria ka rënë”, u shpreh Berisha.

“Do të vendoset nëse do të jetë protesta e vetme gjatë verës. Aty buroi nga shpirti i pjesëmarrësve, një koalicion i paparë me shoqërinë civile”, theksoi Berisha.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu: Spitali i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, ndër investimet më të rëndësishme
Artikulli tjetër​Shoqëria civile kërkon konsensus politik për Vetingun: I pjesshëm por të fillojë