Ballina Flash

Prezantohet në COD arkitektura e qyteteve ikonë të Spanjës

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ “Arkitektura Spanjolle” ishte aktiviteti që u zhvillua pasditen e sotme në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në kuadër të çeljes së Javës Ndërkombëtare Kulturore të Spanjës.

Një tematikë me interes të veçantë solli në ambientet e COD publikun e apasionuar dhe të interesuar rreth arkitekturës së qytetit ikonë të Spanjës, arkitekturën e Barcelonës së fillim shekullit të 20-të, nga veprat e arkitekti Antoni Gaudi, prezantuar nga arkitekti Oriol Hostench Ruiz.

Nga sot e deri më 28 qershor, zhvillohet Java Kulturore e Spanjës e cila do të sjellë në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit aktivitete të larmishme si pasqyrim i traditave, kulturës, kulinarisë spanjolle.

Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës, si dhe vende të Bashkimit Evropian.

Java Kulturore e Spanjës vjen pas javëve kulturore të Francës, SHBA dhe Greqisë,  Italisë dhe Izraelit të organizuara në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmbasada e SHBA: Trajnohen grupe në mbi 25 komunitete për promovimin e kulturës në shoqërinë shqiptare
Artikulli tjetërRama: Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot