Ballina Ekonomi

Muçostepa: “Ballkani i Hapur”, orientim drejt turizmit rajonal gjithëpërfshirës

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ “Zgjerimi i bashkëpunimit në sektorin e turizmit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, është një tjetër fushë në fokus të nismës së ‘Ballkanit të Hapur'”, tha Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, në fjalën e mbajtur në Samitin e Ohrit.

“Dialogu i hapur i liderëve me bizneset tona, na bëri bashkë të gjithëve në takimin e punës në Nish, i cili ka qenë një hap dhe moment shumë i rëndësishëm drejt implementimit të memorandumeve të mirëkuptimit, si dhe nënshkrimit të marrëveshjeve për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar (AEOS), bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e tregut të përbashkët të punës në Ballkanin e Hapur. Sot ne jemi të gjithë të mbledhur së bashku, për të zgjeruar këtë iniciativë me një tjetër sektor, atë të turizmit”, tha Muçostepa.

Sipas saj, turizmi është një sektor shumë i rëndësishëm në Ballkanin Perëndim që duhet mbështetur jo vetëm për peshën e tij në Produktin e Brendshëm Bruto, ndikimin aktual dhe potencialin ekonomik që ka në rajon, por mbi të gjitha për potencialin e tij real të bashkëpunimit në të gjithë rajonin në një skenar të favorshëm për të 6 vendet.

“Vendet tona kanë një potencial të madh si në vlerat që kapitali human ofron, një shumëllojshmëri të faunës dhe florës, diversitet të kulturave, një zhvillim me ritme të shpejta të turizmit, të gastronomisë dhe agroturizmeve, vlera historike dhe arkeologjike të mëdha, kantina të prodhimit të verës, dhe ne duhet që pa diskutim, të shfrytëzojmë këto asete për një turizëm të hapur mes nesh”, theksoi Muçostepa, teksa vuri në dukje referuar shifrave se, “Ballkani i Hapur”, do orientojë drejt një turizmi rajonal gjithëpërfshirës, i cili e ndihmon akoma edhe më shumë zhvillimin e këtij sektori.

Muçostepa tha se, në vitin 2021 rreth 57 % e turistëve të ardhur ishin të huaj, dhe nga këta vetëm 30 % ishin shtetas të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Produktet e përbashkëta turistike rajonale kanë potencialin për të nxjerrë në pah rajonin në nivel ndërkombëtar, pasi shumica e operatorëve më të mëdhenj turistikë po kërkojnë t’u ofrojnë klientëve të tyre produkte që në fakt përfshijnë mundësinë e vizitës së dy ose më shumë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ajo.

Gjithashtu, theksoi ajo, sektori i turizmit ka rol vital në rritjen e punësimit. Në tërësi në rajon janë afërsisht 217.000 persona të punësuar si në strukturat e hotelerive, në restorante, bare etj., e cila korrespondon me 4.2 % të totalit të forcës punëtore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Pikërisht për këtë dhe për ta zhvilluar dhe më shumë këtë sektor, lëvizja e lirë e forcës punëtore në rajon, hapja e kufijve dhe zhvillimi i mëtejshëm i iniciativës së ‘Ballkanit të Hapur’ është një domosdoshmëri”, deklaroi Muçostepa.

“Ne si Dhoma kemi punuar shumë ngushtë në përcaktimin e veprimeve kyçe në lidhje me implementimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për qasjen në tregun e lirë të punës, për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve në tregun e punës me anë të Lejes Universale të Punës, e cila do të  arrihet duke thjeshtuar procedurat administrative për të garantuar akses të barabartë në tregun e punës brenda ‘Ballkanit të Hapur’. Vendet tona duhet të zhvillohen drejt një turizmi të qëndrueshëm, inovativ, dhe ekologjik, duhet të mbështesin bizneset startup dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat po rriten në numër nga dita në ditë. Turizmi ekologjik na vë përpara detyrave që të mbajmë parasysh parimet që i referohen aspekteve mjedisore, ekonomike dhe socio-kulturore të zhvillimit të turizmit si në produktet ekzistuese, ashtu edhe në ato të reja dhe duhet të vendoset një ekuilibër i përshtatshëm midis këtyre tre dimensioneve për të garantuar qëndrueshmërinë e tij afatgjatë”, theksoi Muçostepa.

Sipas saj, turizmi shëndetësor dhe i mirëqenies është një degë e re që po zhvillohet brenda sektorit të turizmit.

“Krijimi i një produkti të përbashkët të turizmit shëndetësor dhe të mirëqënies midis vendeve tona, do të ishte një rast i shkëlqyer i bashkëpunimit rajonal. Sektori i turizmit gjithashtu ka hyrë në rrugën e digjitalizimit, krijimi i rrjeteve digjitale për lidhjet e vendeve të rajonit, ku bëhet promovimi i hallkave të ndryshme të këtij sektori në secilin vend dhe në tërësi, po vjen gjithnjë e në rritje”, deklaroi ajo.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGreqia dhe Shqipëria, gati të rinovojnë marrëveshjen për emergjencat civile
Artikulli tjetërManastirliu: Asnjë strukturë shëndetësore, publike apo private nuk do t’i shmanget akreditimit