Ballina Flash

Escobar: SHBA e përkrahin “Ballkanin e Hapur”, të përfshijë të 6 shtetet

TIRANË, 8 qershor /ATSH-I.Vata/ Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin nismën “Ballkani i Hapur”.

Escobar iu drejtua përmes një videokonference samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër, duke folur nga Sarajeva.

Escobar u shpreh se SHBA nuk e shohin Ballkanin Perëndimor nga një pikë e problemeve të cilat janë ndeshur në shekullin e 20-ë, por nga pritshmëritë e shekullit 21.

“Mundësitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të mëdha. Ballkani Perëndimor ka një pozitë shumë të mirë gjeografike, ka resurse mahnitëse të biznesit. Ne e përkrahim Ballkanin Perëndimor dhe dëshirojmë t’ju ndihmojmë që ta ndërtojmë Ballkani Perëndimor”, tha ai.

“Ballkani Perëndimor na jep shumë mundësi të mëdha jo vetëm vendeve të rajonit, por dhe Europës dhe SHBA. Ballkani Perëndimor ka potencial, që të jetë qendër e energjisë së rinovueshme e cila do të na ndihmojë të luftojmë ndryshimet klimaterike. Ka kapacitete të jetë qendër e gazit natyror dhe të ndihmojë Europën që të lirohet nga varësia nga gazi. Mund të jetë qendër e transportit, e informatikës teknologjike, qendër turizmi”, tha ai.

Escobar theksoi se “Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës që ka rritjen më të madhe dhe ne do të ballafaqohemi me probleme, mirëpo bashkërisht do ia dalim dhe do lehtësojmë punët. Dëshiroj të them se SHBA e përkrahin iniciativën ‘Ballkani i Hapur’, ndërsa iniciativa jonë mbështetet në disa pika. Së pari, duhet të punojmë jo vetëm në një bashkëpunim rajonal ekonomik, por edhe një bashkëpunim në integrimin e strukturave evropiane. Tregjet më të mëdha janë ato evropiane dhe tregtia më e madhe bëhet me Evropën. Duhet të  punojmë për një integrim më të madh evropian. E dyta, ka shumë iniciativa për krijimin e integrimit ekonomik. Iniciativa ‘Ballkani i Hapur’ është vetëm një nga këto iniciativa. Ne i përkrahim të gjitha iniciativat e ekonomike të cilat afrojnë rajonin, promovojnë paqe dhe stabilitet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. E treta, besojmë se nëse ka një sukses, duhet të jetë i hapur për të gjithë”.

Escobar tha se secila iniciativë për integrim ekonomik duhet të përfshijë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në një nivel të njëjtë.

“Dua të jap ca propozime. Kjo është një iniciativë e shkëlqyer, mahnitëse, e cila vjen në një moment shumë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Shpresoj se do të jetë më e qartë se si duhet të funksionojë dhe kam disa propozime. E para: Ka shumë mundësi, ka shumë iniciativa për integrim për Ballkanin Perëndimor, prandaj iu jap kurajo liderëve që të kërkojnë mënyra sesi të bashkëpunojnë me iniciativa të tjera që ekzistojnë në rajon, me këtë ju do të kuptoni se dublifikohen punët, por do të ketë një integrim më të mirë. E dyta: Duhet të keni një plan për zhvillim institucional. Përparësia e Ballkanit Perëndimor është fuqia dhe rritja ekonomike, mirëpo kemi dhe përparësi të tjera konkurrente. Për shembull, vijimi i kushteve më të volitshme për investitorët, përkrahje më e madhe nga qeveritë për regjistrim, por më e rëndësishme është krijimi i mundësisë dhe zhvillimit institucional të cilat duhet të zvogëlojnë ata që mundohen t’i shmangin pagimit të tatimeve dhe na duhet një ekonomi që të ndihmojnë investitorët”, tha ai.

Escobar shtoi se gjithashtu i përkrahin liderët e kësaj iniciative të bashkëpunojnë për këtë treg të përbashkët.

“Ju mbështes që kjo iniciativë të jetë ekonomike. Ky nuk është një projekt politik, por një projekt shumë i rëndësishëm ekonomik. Me rëndësi është të ngelet projekt ekonomik dhe të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit dhe të keni përkrahje më të madhe. Mund të mbështeteni tek ne dhe do t’ju ndihmojmë në luftën me pastrimin e parave dhe arritjen e standardeve kufitare me teknologjitë më të larta që i kemi në dispozicion”, tha Escobar.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Ballkani i Hapur”, lehtësitë doganore rrisin tregtinë mes vendeve
Artikulli tjetër“Ballkani i Hapur”, nënshkruhen 4 marrëveshje në arsim, turizëm, kulturë dhe tatime