TIRANË, 28 maj/ATSH/ Finalja e Conference League që u zhvillua në Tiranë më 25 maj ishte një nga eventet më madhështore që ka pritur dhe organizuar vendi ynë. Një ngjarje mjaft e veçantë dhe më e madhja futbollistike që e vendosi Shqipërinë në qendër të Europës dhe botës, duke e promovuar në mënyrë fantastike vendin tonë, teksa mijëra tifozë nga Italia e Holanda vizituan vendin tonë në datat 24-25 maj.
Në kuadër të këtij eventi, Federata Shqiptare e Futbollit siguroi pjesëmarrjen e rreth 400 vullnetarëve, të cilët u angazhuan në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke mbuluar dhe asistuar në pozicione të ndryshme, që nga siguria, media dhe akreditimi, venue logistic etj, si dhe duke organizuar ceremoninë hapëse të finales.
“Ishte një aktivitet shumë i madh për Shqipërinë dhe një reklamë e madhe për vendin tonë. Gjithçka shkoi në mënyrë perfekte dhe ju luajtët një rol të madh në të gjitha proceset e një nga ngjarjeve më të mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë. Shpresoj shumë ta keni shijuar këtë eksperiencë dhe dëshiroj t’ju konfirmoj se për FSHF-në ju jeni një thesar i rëndësishëm dhe dyert e saj janë të hapura çdo kohë për ju”, u shpreh Shulku.












