ROME, 25 maj /ATSH / – Tashmë ne e dimë se gjumi i mirë dhe numri i duhur i orëve është thelbësor për të konsoliduar kujtesën, për të stabilizuar humorin dhe metabolizmin, për të hequr qafe substancat e mbeturinave të grumbulluara në tru dhe për të pasur një performancë të mirë akademike, shkruan focus.it.
Por, pas një moshe të caktuar, një natë e tërë me gjumë të pandërprerë mund të jetë një mirazh. Ndërsa rritemi ne flemë më pak dhe cilësia e pushimit gjithashtu ulet, sepse shpesh ndërpritet nga një seri mikrozgjimesh.
Nëse një 25-vjeçar kalon shumë orë në të ashtuquajturën fazë të thellë të gjumit, atë në të cilën valët që korrespondojnë me aktivitetin e trurit bëhen më të gjera dhe më pak të shpeshta, një 70-vjeçar kalon vetëm disa minuta në natë në këtë fazë.
Studimet shkencore kanë treguar se gjumi i thellë është thelbësor për transferimin e kujtimeve afatshkurtra të grumbulluara në hipokampus në korteksin paraballor, ku ato konsolidohen në kujtime afatgjata.
Prandaj, cilësia e dobët e gjumit në pleqëri ka pasoja të këqija edhe në këtë aftësi njohëse.
Nga çfarë varet pagjumësia tek të moshuarit?
Një faktor i parë janë shkaqet qelizore, ndoshta te gjurmueshme në humbjen e neuroneve në bërthamën preoptike ventrolaterale të hipotalamusit anterior, një rajon i trurit përgjegjës për rregullimin e ritmeve gjumë-zgjim, pasi këto qeliza na “tregojnë” kur është koha për të fjetur.
Me kalimin e moshës numri i tyre zvogëlohet.
Sa më shumë të zvogëlohet numri i neuroneve në zonë, aq më i shqetësuar do të jetë gjumi dhe kujtesa, siç ka treguar një studim i mbi një mijë personave mbi 65 vjeç.
Si mund të shmanget ky përkeqësim i cilësisë së gjumit?
Kjo arrihet me dremitjen klasike të pasdites, e cila ndihmon në zbutjen e situatës (por, mjerisht, mund ta bëjë më të vështirë të biesh në gjumë në mbrëmje).
Një arsye tjetër mund të jetë humbja fiziologjike e gjumit për arsye “demografike”.
Nëse një i porsalindur fle të paktën 20 orë në ditë, një fëmijë 4-vjeçar ka nevojë për 12; një adoleshenti do t’i duheshin 9 dhe një 35-vjeçari do të kishte nevojë për 8; kur të jesh 70 vjeç do të mjaftonin 7./ /os/























