SOFJE, 19 maj /ATSH-BTA/- Kryeministri bullgar Kiril Petkov dhe presidenti Rumen Radev u takuan sot me ndihmëssekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Sofje.
Sipas Shërbimit të Informacionit të Qeverisë, Petkov dhe Donfried diskutuan bashkëpunimin dypalësh të sigurisë, përgjigjen e unifikuar të NATO-s ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, projektet e përbashkëta energjetike dhe masat për të përballuar korrupsionin.
Radev tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshon rrënjësisht mjedisin e sigurisë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, dhe kjo kërkon rimendim dhe veprime reale brenda BE-së dhe NATO-s për të ndryshuar qasjet për garantimin e paqes dhe sigurisë.
Presidenti bullgar bëri thirrje për mbështetje në kohë nga aleatët e Bullgarisë për të parandaluar humbjen e aftësive mbrojtëse të Forcave Ajrore derisa ky vend të marrë tetë avionët luftarakë F-16 të blerë nga SHBA-ja. “Garantimi i sovranitetit tonë ajror është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për partnerët tanë”, theksoi Radev. //a.i/























