TIRANË, 30 prill /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme nga biznesi dhe individët në fund të muajit mars të këtij viti, u rrit me 4.9 miliardë lekë.
Sipas BSH-së, krahasuar me mesataren e kredisë për banesa në 5 vitet e fundit, kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme këtë vit është rritur me rreth 2,2 %.
Ekspertët vlerësojnë se, tendenca në rritje për të investuar në pasuri të paluajtshme, evidente tek individët, ka përfshirë vitet e fundit edhe bizneset.
Kjo tendencë sipas tyre, vjen si pasojë e politikës së bankave që nuk kanë shtrënguar termat e kreditimit për blerje banese, duke e justifikuar me konkurrencën e lartë në sektor, si dhe me zhvillimin që ka marrë sektori ndërtimit në vendin tonë.
Dinamika më e zhvilluar për blerjen e pasurive të paluajtshme vihet re kryesisht në zonat bregdetare dhe në kryeqytet, teksa shënohet tendencë në rritje kredia e re për blerjen e banesave në monedhën euro.
/j.p/r.e/























