Ballina Flash

Krijohet rrjeti “Shpëtimtarët e kalit të qyqes”

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Krijohet rrjeti i mbështetësve të quajtur “Shpëtimtarët e kalit të qyqes”.

Organizata PPNEA vijon punën për ruajtjen e popullatës së kalit të qyqes (Neophron percnopterus) në Shqipëri, e fundit nga katër llojet e shkabave që ende shumohen në vendin tonë, e cila mbart statusin e rrezikuar, sipas IUCN-s.

Përgjatë viteve janë ndërmarrë aktivitete si monitorime në terren, aksione parandaluese ndaj rreziqeve që kjo shkabë has në viset tona të bukura malore, si dhe janë ndërtuar stacione suplementare, për të siguruar ushqim të sigurt për to, janë shpërndarë kite kundër helmimit, dhe është krijuar rrjeti i mbështetësve të quajtur “Shpëtimtarët e kalit të qyqes”.

“Shpëtimtarët e kalit të qyqes” përfaqëson një ndihmë të madhe në punën e PPNEA-së për konservimin. Ky grup nga komunitetet lokale, që në fillim e mbështeti dhe e vlerësoi kauzën duke patur një tërheqje dhe qasje mbresëlënëse ndaj kësaj shkabe. Ky rrjet konsiderohet si një nga aktorët kryesorë në ruajtjen e kësaj specie të rrezikuar globalisht.

Rrjeti përbëhet nga rreth 40 persona që përfshijnë profesione të ndryshme si barinj, blegtorë, fermerë, veterinerë, por edhe mësues e profesorë, kryetarë bashkie, përfaqësues nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër dhe pronarë biznesesh.

Përveç rritjes së ndërgjegjësimit, këta janë ata që lajmërojnë rregullisht kur shohin kalin e parë të qyqes në pranverë, ose duan të raportojnë diçka që ata e konsiderojnë interesante, të paligjshme ose të pazakontë.

Një ndër kontributet më të mëdha për të cilën disa nga anëtarët e këtij rrjeti janë angazhuar, është mirëmbajtja e dy Stacioneve Ushqimi Suplementar (në Glinë dhe Nivicë), të ndërtuara nga PPNEA, duke ofruar ushqim të sigurt dhe pa helm për çiftet lokale të kalit të qyqes.

Falë mbështetjes së këtij rrjeti, për njërin çift sigurohet rreth 40 kg ushqim një herë në muaj, ndërsa për tjetrin rreth 20-30 kg ushqim çdo javë.

Tashmë ky rrjet është zyrtarisht i formalizuar dhe çdo anëtar i SEVN (Savers of Egyptian Vulture Network) nënshkruan një marrëveshje që përfshin informacione të përgjithshme për anëtarët dhe ofron këshilla se çfarë duhet të bëjnë ata nëse përballen me kërcënime të caktuara për popullatën e kalit të qyqes.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMiratohet fondi për rindërtimin e banesave individuale në 4 bashki
Artikulli tjetërLojëra fati në mënyrë të paligjshme, arrestohet pronari i një lokali