Ballina Ekonomi

Inflacioni në shkurt 3.9%

TIRANË, 8 mars /ATSH/ “Inflacioni u rrit përsëri në muajin shkurt të këtij viti në nivelin 3.9 %”, njoftoi INSTAT.

Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit, duke pasqyruar shtrenjtimin e ndjeshëm të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare.

Sipas INSTAT, inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, kundrejt nivelit 3.2 % që ishte të njëjtën periudhë një vit më parë.

Produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10.1 %, “fruta” me 7 %, “bukë dhe drithëra” me 6.8 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7 %, “mish” me 3.9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3 %.

Inflacioni i grupit “transporti” për shkurtin arriti në 10.4 %, nga 9 % që kishte qenë në janar dhe çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse, energji” për shkurtin rezultoi 1.8 %, nga 1.9 %.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTerrenet e reja sportive, Veliaj: Në Tiranë e fituam betejën për një Federatë transparente të futbollit
Artikulli tjetërKomisioni i Ekonomisë miraton projektligjin e startup-eve