TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësisë këtë vit, do të ofrojë pagesa direkte për fermerët edhe për inputet bujqësore, me qëllim amortizimin e çmimeve në rritje dhe uljen e kostove të prodhimit.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bëri të ditur se, fondi në total për subvencionimin e bujqësisë është 3.2 miliardë lekë, i ndarë në disa sektorë prioritarë.
Sipas AZHBR-së, aplikimet për fermerët parashikohet të hapen më datën 25 Shkurt 2022, menjëherë pas mbylljes së aplikimeve për thirrjen e katërt të programit IPARD II dhe do të pasohen nga një fushatë e gjerë informuese.
Pjesë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësisë është edhe skema e naftës falas për fermerët, për të cilën janë akorduar 1 miliard lekë dhe që do të funksionojë me të njëjtën procedurë si ajo e vitit të kaluar. /j.p/






















