Ballina Flash

Konstituohet Klubi Parlamentar për të rinjtë deputetë të Kuvendit

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, u konstituua sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Klubi Parlamentar për të rinjtë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Në mbledhjen konstituuese morën pjesë edhe Alastair King-Smith, ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Bora Muzhaqi, ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, përfaqësues të Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD) dhe deputete e deputetë të rinj të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit, në fjalën hapëse të këtij takimi, nënvizoi se ngritja dhe funksionimi i këtij Klubi, me anëtarë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, do të kontribuojë për të adresuar dhe avancuar çështjet e të rinjve si edhe për të bashkëvepruar më mirë dhe me më shumë produktivitet me shoqërinë civile, me qëllim advokimin për mjaft çështje thelbësore për zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe konsolidimin e institucioneve.

“Klubi i të rinjve deputetë do të jetë një mekanizëm i ri, që do të krijojë një vlerë të shtuar në Kuvend, për t’u dhënë më shumë zë të rinjve, përmes masave konkrete për avancimin e çështjeve rinore”, theksoi Nikolla.

Po ashtu, Kuvendi do të lehtësojë bashkëveprimin me organizatat e shoqërisë civile dhe adresimin e prioriteteve në fusha të tjera, veçanërisht në shëndetësi, arsim dhe mjedis, dhe ndërveprimin midis deputetëve të rinj dhe drejtuesve të rinj nga rajonet që marrin pjesë në platformën ndërpartiake të të rinjve.

Ambasadori King Smith u shpreh se, Ambasada britanike është angazhuar për të mbështetur dhe forcuar zërin e të rinjve dhe për të mbështetur institucionet, të cilët duan të advokojnë dhe promovojnë të rinjtë.

Në takim përshëndetën edhe përfaqësues të Fondacionit Westminster për Demokraci, përfaqësues të institucioneve shtetërore, si edhe deputetët pjesëmarrës, të cilët e vlerësuan këtë nismë si një mundësi më shumë për të kontribuar në Kuvend dhe në nxitjen e pjesëmarrjes politike e shoqërore të rinisë.

Klubi Parlamentar për të rinjtë deputetë mbështetet edhe nga Fondacioni Westminster për Demokraci.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHÇBA, 17 referime në Prokurori për 21 punonjës policie në janar
Artikulli tjetërKurti i përgjigjet Lajçakut: Kosova nuk i frikësohet zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin