Ballina Flash

Çuçi: Goditja e trafikimit të emigrantëve, model i punës në skuadër me vendet e BE-së

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi sot pas finalizimit të operacionit ndërkombëtar nga Policia e Shtetit për goditjen e një rrjeti kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e jugut dhe në vijim për në vende të tjera të BE-së.

Çuçi e cilësoi një tjetër dëshmi e modelit të shkëlqyer të punës së skuadrave të përbashkëta hetimore me vendet e Bashkimit Europian.

“Jemi maksimalisht të angazhuar dhe të vendosur për të goditur me të gjithë forcën e ligjit çdo rrjet kriminal të trafikut të klandestinëve. Shqipëria mbron të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, por kurrsesi nuk do të bëhet urë kalimi për grupet që iu rrezikojnë jetën dhe shfrytëzojnë dramën e atyre njerëzve për qëllime fitimi. Vlerësim për punën e Policisë së Shtetit, SPAK, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe partnerëve tanë për finalizimin me sukses të këtij operacioni”, u shpreh ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Policia e Shtetit, sot ka finalizuar operacionin “Astrolabio”, duke ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për 18 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjesëtarët e katër grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim drejt vendeve të tjera të BE-së.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNisin punimet për ndërtimin e Unazës Veriore të Tiranës
Artikulli tjetërEdhe violinë vegane?