TIRANË, 17 janar /ATSH/ Bashkia e Lezhës përkujtoi sot 554-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kreu i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu në fjalën e tij theksoi se, “17 janari është një datë historike, që ruhet në memorien e gjithë shqiptarëve, jo thjesht si një datë kur përkujtohet ndarja nga jeta e heroi tonë kombëtar, Skënderbeut, por si një përjetësim i veprës madhështore të tij, si një trashëgimi e vyer e trimërisë dhe urtësisë, vlera këto që na bëjnë të ndjehemi krenarë qe jemi trashëgimtarë të Gjergj Kastriotit, njeriut simbol të bashkimit të kombit që diti të arrij konsensusin e princave hatërmbetës, duke u bërë baza e themelit të shtetit”.
“Kjo ditë shënoi përmbylljen e një prej periudhave më të shndritshme të historisë sonë, kur Shqipëria iu imponua Europës si mbrojtëse e qytetërimit dhe civilizimit të saj dhe Gjergj Kastrioti hyri në historinë e mesjetës si një ndër gjeneralët më të mëdhenj të epokës së vet, si strateg i luftës dhe profet i paqes”, tha Ndreu, teksa vuri në dukje se, “ne do ta kujtojmë e nderojmë gjithnjë këtë figurë të ndritur, shumë dimensionale, të kombit tonë”.
Në këtë takim foli dhe drejtoresha rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Besara Potgorica.
Ajo tha se “Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të mbetet gjithmonë ylli polar i kombit tonë. Simboli më përbashkues që diti të unifikoi shqiptarët në një besëlidhje të madhe, në një kohë kur vendi ishte më i rrezikuar se kurrë. Ai ishte përcaktuesi kryesor dhe pasaporta më dinjitoze e përkatësisë sonë europiane, heroi ynë kombëtar dhe hero i bashkimit. Krenaria e lavdia dhe frymëzimi jonë”. /j.p/






















