Ballina Aktualitet

Deklaratat e deputetit Spaho, reagon dega e PD-së në Korçë

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Dega e Partisë Demokratike Korçë, mblodhi këtë fundjavë kryesinë, për të diskutuar për situatën politike aktuale.

Në një njoftim për shtyp dega e PD-së Korçë, thekson se, “mbledhja do të kishte qenë një rutinë e punës sonë 30-vjeçare, nëse drejtuesi politik i qarkut nuk do të kishte mbajtur qëndrim spekulues dhe fyes ndaj shumicës së anëtarëve të kryesisë së degës Korçë”.

“Në respekt të votuesve korçarë, por edhe të demokratëve dhe qytetarëve që ndjekin me shqetësim zhvillimet në PD, deklarojmë me përgjegjësi se kryesia e degës Korçë nuk ka patur asnjëherë 62 vetë dhe se dega nuk ka patur kurrë 33 grupseksione.

Drejtuesi politik i qarkut Korçë Edmond Spaho, e di shumë mirë që numri i delegatëve për Kuvendin Kombëtar nuk vendoset me mesatare. Ai e di shumë mirë se të gjithë anëtarët e kryesisë kanë mandat të ligjshëm dhe nuk mund t’ua vërë në diskutim askush për interesa personalë”, thuhet në njoftim.

“Të jesh pakicë nuk do të thotë se faktet duhen manipuluar dhe e vërteta duhet fshehur. Të punosh kundër interesit të burrave dhe grave që kanë bërë gjithçka per PD dhe kanë zgjedhur zotin Spaho disa herë deputet, do të thotë t’i vendosësh kryq sakrificës së demokratëve. Nëse Edmond Spaho do të kishte investuar në fushatë kaq shumë energji sa keta 2 muajt e fundit, Korça do të kishte fituar të paktën 6 mandate deputetësh”, thuhet në njoftimin e degës së PD-së Korçë.

Dega e PD-së Korçë, deklaron se, “me qëndrimet keqinformuese, që deformojnë të vërtetën dhe realitetin e PD në Korçë, zoti Spaho bën mirë të rishikojë pozicionin e tij si drejtues politik dhe deputet i qarkut Korçë. Demokratët nuk përfaqësohen me mashtrime për interesa personale, por me punë, integritet dhe përkushtim në betejën e vetme kundër regjimit të Edi Ramës dhe rikthimit të PD në pushtet”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLLogoraja, 55 vjet Park Kombëtar
Artikulli tjetërBM – BE thirrje Londrës për një marrëveshje për zbatimin e protokollit të Irlandës së Veriut