BIALISTOK (Poloni), 11 nëntor /ATSH/ – Migranti sirian, Youssef Atallah kishte frikë se do të vdiste në pyllin pranë kufirit polak, pasi mbeti pa ushqim dhe ujë, në të ftohtë dhe madje i paaftë edhe për të marrë frymë, pasi një ushtar bjellorus i kishte thyer hundën, sipas Reuters.
I ndodhur aktualisht në një qendër migrantësh, në qytetin lindor polak të Bialystok, Atallah tha se ai ishte një nga shumë migrantët e bllokuar në kufi, pasi u dërgua drejt Bjellorusisë nga rojat polake dhe më pas u bllokua nga forcat bjelloruse të sigurisë, të cilët e kishin ndihmuar më parë që të kalonte në Poloni.
“Ne u thamë atyre se duam të kthehemi në (kryeqytetin e Bjellorusisë) Minsk, dhe se nuk donim të vazhdonim atë udhëtim”, tha ai.
“Ata na thanë se nuk ka kthim në Minsk për ju. Vetëm shkoni në Poloni”, shton Atallah.
Një migrant afgan, i cili nuk pranoi të identifikohej, foli për përvojën e tij të bllokimit mes Bjellorusisë dhe Polonisë, i paaftë për t’u kthyer mbrapa me zgjedhjen e vetme që të provonte përsëri të kalonte kufirin, me ndihmën e shërbimeve të sigurisë bjelloruse.
“Janë vetë ushtarët bjellorusë, ata që i detyrojnë dhe ndihmojnë migrantët të kalojnë kufirin”, tha ai, duke shtuar se ushtarët i kishin thënë se ky ishte një urdhër nga shteti.
Afgani, i cili u largua nga vendlindja e tij pasi militantët islamikë, talebanët erdhën në pushtet në gusht, rrëfehu sesi çdo natë ushtria bjelloruse shkonte dhe merrte një grup prej 30 ose 40 migrantësh nga kampet dhe i niste drejt kufirit.
“Ata i hedhin një sy kufirit dhe nëse nuk ka njeri atje, u japin atyre mjete metalprerëse dhe i detyrojnë të kalojnë kufirin”, tha ai.
Thaer Rezk, 29 vjeç, migrant nga Homs në Siri, tha se rojet bjelloruse ndonjëherë hapnin vrima në rrethimet e tyre kufitare për të ndihmuar migrantët të hynin në Poloninë ose Lituaninë fqinje, dhe në këtë mënyrë në Bashkimin Europian.
Pavarësisht sprovës, migranti afgan ishte optimist për të ardhmen e tij pasi kishte mbërritur në territorin e BE-së.
“Ndihem më i sigurt tani. Jam i sigurt se do të ndërtoj një karrierë të mirë këtu dhe djalit tim do t’i mundësohet një arsim i mirë, e ardhmja e tij do të jetë e sigurt”, tha ai.
BE-ja, e cila ka sanksionuar në mënyrë të përsëritur Bjellorusinë për abuzime me të drejtat e njeriut, akuzon Minskun për nxitjen e migrantëve nga vendet e shkatërruara nga lufta dhe për dërgimin e tyre në Poloni, në përpjekje për të mbjellë kaos të dhunshëm në krahun lindor të bllokut./ /a.i/






















