Ballina Bota

BRUKSEL – BE: Antisemitizmi sërish në rritje

BRUKSEL, 9 nëntor /ATSH-ANSA/- Lufta kundër antisemitizmit është përgjegjësi e të gjithëve. Është detyra jonë historike; diçka që iu detyrohemi viktimave të Holokaustit si dhe të mbijetuarve. Por për fat të keq është edhe një nevojë urgjente, deklaroi zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Mrgaritis Schinas, duke paraqitur sot në Parlamentin Europian strategjinë mbi antisemitizmin.

“Tre breza pas Holokaustit dhe antisemitizmi është përsëri në rritje në Europë dhe më gjerë” shtoi ai.

“Antisemitizmi shkon kundër vlerave të BE-së, dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, ligjit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut.  Ne do të punojmë ngushtë me Parlamentin Europian, me shtetet anëtare, parlamentet kombëtare, rajonet dhe qytetet. Ne mund ta fitojmë këtë betejë së bashku”, tha Schinas.

“Gjatë viteve të fundit, ne kemi parë një ringjallje shumë shqetësuese të formave eksplicite dhe të rrezikshme të antisemitizmit, duke përfshirë sulme tragjikisht vdekjeprurëse si ato në shkollën Ozar-Hatorah në Tolosa në vitin 2012, në muzeun hebre në Bruksel në vitin 2014, në supermarketin ‘Hypercacher’ në Paris në vitin 2015 dhe sulmi ndaj sinagogës në Halle në vitin 2019”, kujtoi Schinas.

“Nëntë nga dhjetë hebrenj besojnë se antisemitizmi është rritur në vendin e tyre. Një në dy europianë e konsiderojnë antisemitizmin si një problem. Në mënyrë alarmante, 38% e hebrenjve europianë e kanë marrë në konsiderate emigracionin sepse nuk ndihen të sigurt në BE”, theksoi ai. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDurrës, 5 në pranga dhe sekuestro pronave 2 milionë euro
Artikulli tjetërCOVID-19, Ministria e Shëndetësisë: 770 të infektuar dhe 4 humbje jete në 24 orët e fundit