Ballina Ekonomi

Inflacioni 2.4%, rritja e çmimeve kalimtare

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se “rritja e inflacionit u diktua kryesisht nga goditjet e ardhura si pasojë e disbalancave midis kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare dhe këto disbalanca priten të jenë të përkohshme dhe efekti i tyre në inflacion pritet të jetë kalimtar”.

Gjatë konferencës për mediet të mërkurën, Sejko tha se, inflacioni erdhi në rritje gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar nivelin mesatar prej 2.4 %.

Sipas tij, kjo ecuri pasqyroi në masën më të madhe goditjet e ofertës të ardhura nga rritja e çmimeve të ushqimeve, të energjisë, të naftës dhe të kostove të transportit në tregjet botërore.

“Efekti i goditjeve të ofertës në inflacion pritet të jetë i pranishëm dhe gjatë tremujorit aktual dhe gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, e të vijë në shuarje gjatë periudhës në vazhdim. Ky gjykim bazohet në konsensusin e analizave të institucioneve ndërkombëtare dhe pritjet e tregjeve. Sipas këtij konsensusi, çmimet e naftës, të energjisë dhe të produkteve ushqimore, pritet fillimisht të stabilizohen e më pas të reduktohen gjatë vitit 2022, çka do të zvogëlojë presionin mbi kostot e prodhimit në vend dhe çmimet e konsumit”, u shpreh Guvernatori.

Ndërsa vuri në dukje se, përkundrejt tyre, presionet e brendshme inflacioniste kanë shfaqur një dinamikë rritëse, por graduale dhe ende të përmbajtur.

Guvernatori deklaroi se, “efekti i goditjeve të ofertës pritet të jetë kalimtar dhe inflacioni pritet të kthehet në objektivin tonë prej 3 % gjatë vitit 2022 dhe miksi i politikave ekonomike do të mbetet i balancuar midis ritmit të konsolidimit fiskal dhe stimuli monetar mbështetës”.

Teksa theksoi se, “një rritje më e shpejtë apo më e gjatë në kohë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal, përbëjnë rreziqe të kahut të sipërm mbi inflacionin. Nga ana tjetër, një rimëkëmbje më e ngadaltë e ekonomisë botërore përbën rrezik të kahut të poshtëm mbi inflacionin”.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAlbana Tole emërohet zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit
Artikulli tjetërBajpasi i Fierit, miratohet një ndryshim i kontratës financiare me BEI-n