Ballina Aktualitet

Buxheti 2022, jetësimi i Reformës në Drejtësi

TIRANË 1 nëntor/ATSH-I.Vata/ Ministria e Drejtësisë ka si prioritet kryesor jetësimin e Reformës në Drejtësi, funksionalizimin e organeve të reja të drejtësisë për periudhën 2022-2024.

Në relacionin shoqërues të projektbuxhetit të vitit 2022, Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar dhe objektivat për periudhën 2022-2024, të cilat janë: Jetësimi i Reformës në Drejtësi; funksionalizimi i organeve të reja të drejtësisë; përmirësimi i kuadrit ligjor dhe miratimi i akteve nënligjore për zbatimin e reformës në drejtësi; zbatimi i reformimit të sistemit të drejtësisë për të miturit në konflikt me ligjin; reformimi i shërbimeve publike, rritja e efikasitetit të tyre; ndërmarrja e masave konkrete për një reformim legjislativ, institucional dhe strukturor për të gjithë ato institucione ligjzbatuese që mundësojnë që shqiptarët të marrin shërbime ligjore në kohë, sa më cilësore, profesionale dhe në mënyrë dinjitoze; përmirësimi i sistemit të ndihmës juridike falas, që çdo qytetar në pamundësi financiare dhe grupet në nevojë, të përfitojë nga ky shërbim në mënyrë cilësore.

Një tjetër prioritet i Ministrisë së Drejtësisë është dhe reformimi në sistemin penitenciar, lufta kundër korrupsionit dhe ofrimi i ndihmës juridike falas.

“Reformimi i sistemit penitenciar në tërësi, menaxhimi efektiv të institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe rritja e profesionalizmit dhe integritetit të stafit të burgjeve, si ai policor dhe civil. Përmirësimi i shërbimit të provës për monitorimin e zbatimit të dënimeve alternative me një staf profesional dhe me integritet. Forcimi i Luftës kundër Korrupsionit në Administratë; Përmirësimi i trajtimit të denoncimeve ndaj korrupsionit”, renditen si rezultatet që synohet të arrihen për periudhën afatmesme 2022-2024, sipas relacionit shoqërues të projektbuxhetit të vitit 2022 të Ministrisë së Drejtësisë.

Po ashtu, Ministria e Drejtësisë për periudhën 2022-2024 synon vijimin e implementimit të strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit dhe planin e veprimit 2020-2023, i cili për herë të parë do të jetë pjesë e IPSIS, një sistem elektronik monitorimi, i cili do të sigurojë që Plani i Veprimit Kundër Korrupsionit të shtrihet horizontalisht në shumë institucione, duke vepruar në mënyrë paralele dhe të integruar. Po ashty, synohet ndërtimi i Institucionit të Kufizimit të Lirisë së të Miturve, i cili do të sigurojë rehabilitimin e duhur të të miturve brenda institucionit, ofrimi i ndihmës juridike falas për 5060 individë që plotësojnë kushtet në zbatim të ligjit për ndihmën juridike falas, ofrimi i ndihmës juridike falas për 3036 gra e vajza në nevojë të cilat plotësojnë kushtet, realizimi i rreth 17000 akte ekspertimi të klasifikuara si; mjeko-ligjore, toksikologjiko-ligjore, biologjiko-ligjore dhe psikiatriko-ligjore, në përputhje me standardet evropiane.

Një tjetër prioritet i Ministrisë së Drejtësisë është dhe përmirësimi i kushteve në sistemin penitenciar dhe ulja e mbipopullimin në burgje.

“Sigurimi i kushteve të përshtatshme të rreth 5100 të dënuarve burra, 86 të dënuara gra dhe 36 të dënuar të mitur, si dhe të trajtohen me shërbim shëndetësor 382 të dënuar të sëmurë. Ri-integrimin nëpërmjet zhvillimit të programeve për rehabilitimin në shoqëri të paraburgosurve dhe të dënuarve në përputhje me standardet europiane, ku parashikohen të riintegrohen rreth 360 të dënuar burra, 2 të dënuara gra dhe 6 të dënuar të mitur. Rritjen e nivelit të sigurisë fizike në IEVP nëpërmjet vëzhgimit dhe kontrollit me sisteme sigurie të monitorimit elektronik të të dënuarve dhe policisë së burgjeve. Rikonstruksionin dhe përshtatjen e infrastrukturës ekzistuese sipas standarteve të ofrimit të shërbimeve të përshtatshme për kategorinë e të moshuarve në sistemin e burgjeve. Mbikëqyrjen në mënyrë efektive të 6874 burrave, 790 grave dhe 180 të miturve, gjatë shërbimit të provës. Realizimin e skemës së shpërndarjes së Fondit Special të Kompensimit nga 800 e parashikuar për 2021, në 1760 për 2024”, thuhet në relacion.

Gjithashtu, një nga prioritet me rëndësi që ka Ministria e Drejtësisë është dhe ekzekutimi me efektivitet dhe brenda afateve ligjore të titujve të përmbarimit gjyqësor.

“Synohet garantimi i interesit më të lartë të fëmijëve, nëpërmjet vendosjes në familje të përhershme që përshtaten me nevoja specifike të secilit prej tyre, me synimin që 100 % e totalit të birësimeve të rezultojnë të suksesshme”, thuhet në relacionin shoqërues të pr/buxhetit të vitit 2022 të Ministrisë së Drejtësisë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu në Komisionin e Shëndetësisë: Mbi 90% e mësuesve të vaksinuar
Artikulli tjetërGjekmarkaj në lagjen “5 Maji”: Dëmshpërblim të plotë për pronën