Rimëkëmbja ekonomike, Ibrahimaj takim me zv/Presidenten e BB-së

TIRANE, 21 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në përfundim të mbledhjeve vjetore të FMN-së dhe grupit të Bankës Botërore, në datat 13-20 tetor 2021, zhvilloi një takim virtual me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Rajonin e Europës dhe Azisë, Anna Bjerde dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Ibrahimaj informoi se në takim u diskutua mbi rimëkëmbjen e shpejtë të vendit gjatë 2021, si dhe për rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse e të gjelbër në të ardhmen.

“Vlerësuam se, pavarësisht efekteve që shkaktuan tërmeti dhe pandemia, treguesit e ekonomisë shqiptare, si punësimi, bilanci i pagesave, sektori financiar dhe financat publike, performuan relativisht mirë”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen që i jep Shqipërisë, sidomos për agjendën e reformave të fokusuara në qëndrueshmërinë fiskale dhe për një mjedis më të mirë për biznesin.

/m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.