TIRANË 4 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj deklaroi sot se Konferenca e Kryetarëve vendosi zhvillimin e komisioneve të përhershme parlamentare me prezencë fizike.
Në një deklaratë, tek Kryesia e Kuvendit, pas mbarimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Rushaj tha se vendimi ka të bëjë me kthimin e ligjshmërisë për sa i përket mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare.
“Pas kërkesës sonë, pas përpjekjeve tona për të vendosur ligjshmërinë në lidhje me punën që opozita duhet të bëjë në komisionet parlamentare, sot u ra dakord përfundimisht dhe formalisht që mbledhjet e Komisioneve të Përhershme Parlamentare të bëhen ashtu siç dhe rregullorja e parashikon me prezencë fizike, normalisht duke respektuar çdolloj rregulli të protokollit të sigurisë për sa i përket masave antikovid. Po kështu u diskutua dhe u ra dakord që tre komisionet hetimore që opozita ka paraqitur, të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim dhe miratim”, tha ai.
Po ashtu, Rushaj shtoi se “ne paraqitëm kërkesën tonë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Padyshim, i bëmë të qartë deputetëve të PS-së që e drejta e opozitës për të ngritur komisione hetimore, e drejta e opozitës për të caktuar objektin e hetimit është e patjetërsueshme dhe ne do ta respektojmë”.
/j.p/r.e/























