Ballina Flash

Tryezë për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës me bazë gjinore

TIRANË 29 shtator /ATSH-I.Vata/ Roli i koordinatorit të viktimave dhe mbështetja për punën e tyre, ishin në qendër të diskutimeve të zhvilluara sot në tryezën e rrumbullakët mes Prokurorisë së Përgjithshme, misionit OPDAT dhe ekspertëve të fushës.

Në nisje të aktivitetit Pranvera Pustina, prokurore, drejtore e kabinetit pranë Prokurorit të Përgjithshëm vlerësoi punën e deritanishme të sektorit të asistencës ndaj subjekteve me Status të Posaçëm ku vetëm për periudhën janar-qershor 2021 është dhënë asistenca për 153 raste për viktima të veprave penale të ndryshme.

“Ju duhet të jeni të vetëdijshëm për rolin tuaj gjithëpërfshirës, duke trajtuar me profesionalizëm subjektin me status të posaçëm, veçanërisht kur ato janë pjese e grupit më vulnerabël të shoqërisë, si të miturit apo gratë e vajzat viktimë e dhunës, përndjekjes apo përdhunimit. Ju duhet të angazhoheni për të siguruar shmangien e viktimizimit për herë të dytë, i cili mund të ndodhë nga autori apo nga aktorët e tjerë shtetërorë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, – iu drejtua Pustina koordinatorëve të viktimave, duke ritheksuar mbështetjen maksimale të institucionit të Prokurorisë për misionin e tyre për të siguruar respektimin e të drejtave të viktimave dhe dëshmitarëve të krimit në sistemin e drejtësisë.

Tryeza u përshëndet edhe nga Michelle Lakomy, këshilltare ligjore rezidente pranë misionit OPDAT, Ambasada e SHBA në Shqipëri.

Koordinatorët e viktimave prezantuan disa histori suksesi që kanë trajtuar gjatë kësaj periudhe dhe diskutuan mbi prezantimin e Prokurores Federale të Selisë OPDAT, Chelsea Schinnour mbi rëndësinë e bashkëpunimit prokuror – koordinator për të patur një procedim penal të suksesshëm.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – OBSH: Objektivat globale të vaksinimit nuk po përmbushen
Artikulli tjetërMeta pret udhëheqësen e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya