TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Fabrikat e përpunimit të perimeve në Dibër, janë një tjetër shembull domethënës i sipërmarrjeve private në vendin tonë, që po zhvillohen sipas modeleve më të mira bashkëkohore me qëllim rritjen e eksporteve.
“Dy këshillime të dobishme nga ekspertët gjerman, (GIZ) me të dy përpunuesit aktualë të frutave në Dibër, për të përmirësuar teknologjitë e tyre, u realizuan në shtator 2021”, njofton Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në to u diskutua për cilësinë e frutave në vjelje dhe produktet ushqimore në afatin e ruajtjes. Përpunuesit u trajnuan për më shumë cilësi si edhe për shitjen në supermarkete nëpërmjet metodave të reja për të zgjatur jetëgjatësinë dhe periudhën e marketingut.
Projekti gjerman SRD (GIZ) bën të ditur se, do të vazhdojë të mbështesë sektorin e frutave duke u fokusuar në përpjekjet e fermerëve dhe konsoliduesve për produktet e përpunuara të frutave të cilësisë më të lartë, me qëllim nxitjen e eksportit.












