TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha sot në Tiranë që shpreson që Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të zhvillohet përpara fundit të këtij viti.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Von der Leyen tha se “ne kemi punuar fort për çeljen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”.
“Dëshiroj të theksoj faktin se ju e keni bërë pjesën tuaj, keni kryer detyrat tuaja. Kemi kërkuar shumë prej jush dhe ju i keni kryer këto detyra dhe ne do të bëjmë gjithçka është e mundur që ne të kapërcejmë ato vështirësi, pengesa dhe kjo nuk duhet të pengojë procesin e zgjerimit. Këtu dua të jem shumë e qartë, ndaj shpresoj shumë që ne të fillojmë me Konferencën e parë Ndërqeveritare përpara fundit të këtij viti. Ky është synimi im”, tha Von der Leyen.
Edhe kryeministri Edi Rama deklaroi se presidentja Von der Leyen ka objektiv që para përfundimit të vitit të kryhet më në fund Konferenca e parë Ndërqeveritare dhe Shqipëria të ulet në tryezën e BE-së dhe të fillojë formalisht negociatat për anëtarësim.
“Ky është objektivi i Presidentes. Ndërkohë që për sa më takon mua, unë e kam thënë edhe më parë dhe e përsëris, nuk vë bast më për asnjë datë, për asnjë afat dhe pres me qetësinë e plotë, si rastin kur ndodh, si rastin kur nuk ndodh. Jemi përgatitur disa herë për dasmë dhe krushqit nuk janë paraqitur. Ne nuk përgatitemi më për dasmë. Vazhdojmë t’i bëjmë me vepra deklaratat e dashurisë, por se kur ndodh dasma e kanë në dorë krushqit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne e kemi shumë të qartë se kemi në dorë vetëm të bëjmë punën tonë dhe punën tonë ne e bëjmë, jo sepse na e imponon Brukseli, Berlini, Parisi apo gjithë Europa e bashkuar bashkë, por e ardhmja e fëmijëve tanë”.
“Jemi me fat që gjendemi në mes të Europës. Është bekim për fëmijët tanë që lindin e rriten në mes të këtij kontinenti dhe një mur s’na ndan nga hapësira më e mirë që njerëzimi ka organizuar për paqen dhe sigurinë, që është BE. Imagjinoni sikur të ishim në kontinent tjetër apo shkretëtirë, çfarë fati do kishte për fëmijët tanë”, tha Rama.
Rama tha se ky është fati dhe besimi ynë, kështu që ne do të vazhdojmë të shfrytëzojmë maksimalisht dijen dhe eksperiencën e BE-së, mbështetjen e BE-së përmes procesit.
“Ky është një proces për t’u rritur vetë dhe për të ndërtuar shtetin e të drejtës. Të gjitha këto na duhen për veten tonë e fëmijët tanë. Pastaj hapen, nuk hapen, mbyllen nuk mbyllen konferenca dhe kapituj, kjo është një çështje e BE-së, jo e Komisionit, por e Këshillit, dhe madje as e Këshillit, por e një anëtari të familjes europiane që gdhihet me inat me një tjetër dhe merr peng një të tretë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se rëndësi ka që KE mendon se Shqipëria e ka bërë detyrën e vet në raport me BE-në. “Në raport me vetëveten dhe të ardhmen kemi shumë gjëra për të bërë, ndaj nuk duhet të humbasim fokusin por duhet të vazhdojmë para”, shtoi ai.
/j.p/r.e/























