TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Fermerët kanë shtuar ndjeshëm sipërfaqet e mbjella dhe përgatiten për sezonin e mbarë të mollëve në Korçë.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca solli rastin e Argjërimit, që po bën përkujdesjet për të marrë frytet e prodhimit të mollëve, ku janë angazhuar me punët në fermë familjarisht.
E shoqja, Lindita dhe i biri, Arditi janë përherë pranë tij, duke ndihmuar që ferma të përparojë e të ketë sukses.
Argjërimi thotë se ktheu të birin nga jashtë vendit enkas për këtë investim.
“Tokat ku sot janë mbjellë pemët, më parë ka qenë djerrë, e pa punuar! Me mbështetjen e AZHBR-së, nëpërmjet Programit IPARD II janë mbjellë afro tetë dynymë dhe rreth 2,500 rrenjë mollë”, tha Krifca.
Teksa bën të ditur se, Argjërimi ka përfituar mekanikë bujqësore për të kryer punimet e specializuara dhe ujitjen me pika për t’u kujdesur akoma më shumë për bimët.
Ferma është kthyer në ekonominë kryesore të familjes nga Leminoti, që tanimë janë motivuar për të ecur më shumë në këtë drejtim.
Mollët e Korçës prej disa vitesh kanë pushtuar edhe tregjet europiane.
Shqipëri kultivohen mbi 40.195.000 rrënjë mollë, të cilat japin një prodhim mbi 80 mijë tonë, shifër kjo, që paralajmëron rritjen e mëtejshme të eksportit të mollëve shqiptare drejt tregjeve të reja të huaja. /j.p/























